ERZEN RRUSTEMI

ERZEN RRUSTEMI U linda më 07-10-1983 në Zhegër të komunës së Gjilanit nga babai Halili dhe nëna Ismetja. Shkollën fillorë katër klasëshe e mbarova në fshatin Zhegër në vitin 1994, vit kur edhe u shkëputa nga vendlindja për t’ u bashkuar me prindërit të cilët që nga vitet e ’70 – ta gjenden në mërgim (Bern të Zvicrës) Më pas, vazhdova shkollimin në Kirchberg ku edhe mbarova shkollimin e mesëm. Nga ardhja ime në Zvicër, krahas shkollimit fillova të merrem me artet marciale . Nga viti 2002 kam filluar të merrem intenzivisht me boks. Prej vitit 2012 jam anëtar i Ligës Profesionale të Boksit. Deri më tash kam zhvilluar dymbëdhjetë luftëra, dhjetëtë prej tyre i kam fituar përpara kohës, me nokaut. Në luftën e shtatë e cila u zhvillua më 29-11-2014 luftova kundër boksierit rumun Vasile Dragomir dhe arrita njekohësisht edhe titullin e Kampionit Evropian . Ndërsa, më 18 mars 2017, luftova për titullin Kampion bote në versionin WBF, kundër argjentinasit Rikardo Ramirez, të cilin gjithashtu e mposhta me nokaut dhe fitova titullin Kampion bote, titull që për herë të parë e fiton një boksier shqiptar. Qëllimi im është që të përfaqësoj kombin tim dhe shqiptarët, në rangjet më të larta të boksit profesionist , kudo nëpër botë dhe ate, gjithnjë si shtetas i Republikës së Kosovës, të cilën nuk e kam ndërruar përkundër ofertave shumë joshëse dhe kushteve që m’i kanë ofruar. Për angazhimin tim të deritashëm në boksin profesionist jam nderuar edhe nga shoqata të ndryshme shqiptare me Mirënjohje ndërsa e veçoj prej tyre, Mirënjohjen NDERI I QYTETIT TË GJILANIT që më është dhënë nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit më 15 qershor 2016.